Elbasan, digjen sipërfaqe të tëra me pyje e kullota. 15 vatra zjarri

Vatrat e zjarrit në pyje dhe kullota kanë prekur edhe qarkun e Elbasanit gjatë muajit korrik dhe këtyre ditëve të muajit gusht në vazhdim. Në zonën e Gurit të Zi u desh ndërhyrja nga ajri që zjarri të neutralizohej ndërsa menjëherë pas këtij episodi u vu në rrezik Mali i Koshnicës në Gramsh.

Pavarësisht ndërhyrjes, terreni kodrinor dhe malor e vështirësoi mjaft punën e zjarrfikësve dhe në shumicën e rasteve ata janë ndihmuar edhe nga komuniteti i zonave që kanë ndërhyrë me mjete rrethanore.

Vatrat e zjarreve nuk kanë kursyer as zonat e Dumresë, në bashkinë e Belshit. Pre e flakëve kanë rënë kullota, sipërfaqe të mbjella me ullinj dhe pyje me pisha, të cilat përdoren edhe si atraksione turistike për zonën. Edhe pse pjesa dërrmuese e rasteve të zjarrvënies mbeten pa autor, dyshimet janë se shumica janë vënë me qëllim nga banorë të zonës për të pastruar sipërfaqet djerrë.