Elbasan, 8 nxënës të këtij gjimnazi shfaqin simptoma të COVID-19

Tetë nxënës të gjimnazit “Dhaskal Todri”, në Elbasan kanë shfaqur simptoma të COVID-19 dhe është marrë tamponi. Mësohet se ditën e sotme do të merret vendimi nëse do të mbyllen tre klasat ku janë tetë gjimnazistët. Disa ditë më parë në këtë gjimnaz tre mësues dhe një nxënës rezultuan pozitiv me COVID-19.

“Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 249 pacientë, 21 në terapi intensive nga të cilët 5 pacientë janë të intubuar. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon qytetarët për të mbajtur detyrimisht maskën edhe në ambientet e hapura jashtë shtëpisë, në mënyrë që të minimizohet përhapja e infeksionit.

Maska/Barriera mbrojtëse e fytyrës ndihmon në zvogëlimin e përhapjes së infeksionit në komunitet duke minimizuar transmetimin e tij nëpërmjet spërklave nga individë të infektuar. Përdorimi i barrierës mbrojtëse duhet të konsiderohet vetëm si një masë plotësuese dhe jo si zëvendësim i masave parandaluese. Ajo duhet të zbatohet së bashku me distancën fizike 1.5 – 2 m dhe higjienën e duarve.