“Dëbora e Majit” në Parkun Rinia në Elbasan

Sot qyteti i Elbasanit ashtu si edhe në të gjithë botën festoi ditën e Fiter Bajramit. Si një ditë pushimi dhe fundjave çdo familje ka zgjedhur mënyrën e saj për të festuar këtë feste apo për të kaluar një ditë ndryshe. Në mungesë të lokaleve ambientet publike si parqet dhe lulishtet janë shfrytëzuar më së miri nga banorët.

Një vend shumë i mirë argëtimi, ku mund të kalosh disa orë të qeta sëbashku me familjen për qytetarët elbasanas është edhe Parku Rinia. Çdo ditë në këtë park, dhe sidomos në fundjavë, gumëzhijnë zërat e fëmijëve, të cilët, të shoqëruar nga prindërit argëtohen në këtë vend ku tashmë është edhe një park lojrash publik.

Por ajo që është vënë re më së shumti në këtë park është edhe bardhësia që ka mbuluar zona të mëdha të këtij vendi pjesërisht të gjelbëruar. Kjo bardhësi të jep përshtypjen se në këtë park ka rënë dëborë, por në fakt ajo shkaktohet nga polenat e pemëve. Për disa këto polena janë të dëmshme pasi u shkaktojnë alergji, por shumica e njerëzve i shijon për vetë bardhësinë që krijojnë.

PS: fotot janë realizuar nga Lirim Abazi.