COVID 19/Rregulla të reja edhe në plazhe e pishina

Vazhdojnë të jenë në fuqi masat anti-covid që parashikojnë mbylljen e klubeve të natës, diskove dhe bareve longue, ndalimin e muzikës pas orës 20.00 dhe ruajtjen e distancimit fizik në lokale. Policia vijon kontrollet për mbikëqyrjen e zbatimit të këtyre masave, shkelja e të cilave dënohet me gjobë.

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, bashkë me drejtorin e Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, kanë bërë një inspektim për respektim të masave parandaluese të Covid-19 në kryeqytet. Po ashtu ministri shtoi se po merren masa të ngjashme për pishinat, për plazhet, për vendet tjera të grumbullimit.

“Është fort e qartë që ne jemi përballë detyrës për të kufizuar, përpara zgjedhjes për të kufizuar shumë liri tonat. Lirinë e lëvizjes, lirinë e takimit, lirinë e grumbullimit e shumë liri të tjera, të cilat jo këtu, por në të gjithë botën po kufizohen në emër të nevojës për të mbrojtur jetën njerëzore, e cila prevalon në këtë situatë të pazakontë. Lokalet mbeten një burim i rëndësishëm risku dhe kërkesa për të evituar grumbullimet e mëdha mbetet aktuale”, thotë Lleshaj në mesazhin e tij për qytetarët.

Ministri u shpreh se këto masa do të vazhdojnë të qëndrojnë ndërkohë që virusi vijon të godasë fort, duke marrë edhe jetë të rinjsh pa sëmundje shoqëruese.

“Sigurisht që unë jam i qartë për ndjeshmërinë e shumë qytetarëve për këto kufizime, por duhet të kuptojmë që është detyrë të bëjmë balancën dhe të zgjedhim atë që duhet të zgjedhim. Të kufizohemi në emër të asaj gjësë më të madhe, që nuk duhet ta kufizojmë, që është jeta.Policia është e angazhuar për ta zbatuar me rigorozitet këtë kërkesë. Po ashtu kërkesa të ngjashme janë për pishinat, për plazhet, për vendet tjera të grumbullimit”, shtoi më tej Lleshaj.