COVID-19/ Brataj tregon për situatën në vend dhe arsyen pse nuk u mbyll Shqipëria

Shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, është shprehur se deri më tani situata e krijuar nga pandemia COVID-19 në vendin tonë është në maksimumin e normës, por e përballueshme. Brataj tha gjate një interviste për “A2” se masat e marra deri më tani kanë dhënë rezultate pozitive, pasi COVID-19 është nën kontroll.

Shefi i Urgjencës Kombëtare u shpreh optimist për periudhën e verës, si pasojë e vaksinimit dhe rritjes së temperaturave në atë periudhë.

 “Shqipëria nuk ka pasur mbyllje totale që prej marsit të vitit të kaluar, siç pati në vende të tjerë, për shumë faktorë. Me këtë model që kemi krijuar, deri në këto momente situata është nën kontroll. Të gjithë treguesit janë brenda atyre normave limite që shtojnë më tej masat shtrënguese. Masat shtrënguese janë marrë. Sipas meje, ora e darkës ishte më e tmerrshmja. Unë mendoj se ulja e orarit e frenoi disi. Në atë orë nuk është se virusi fle, por ne në atë orë nuk po ruanim asnjë masë dhe mjaftonin ato 2-3 orë që virusi të shpërndahej.

Aktualisht, treguesit janë në maksimumin e normës, por nuk kanë më rritje dhe po përballohet. Atëherë modeli që ne kemi ndjekur, me shtrëngimet e mesme, ka dhënë rezultat. E shikoj pak kritike situatën në këto dy muaj. Jo se me ardhjen e verës do të iki virusi, por ulet disi virulenca për shkak të temperaturës. Shumë faktorë të tjerë ndikojnë. Më shqetëson fakti se nëse nuk do të arrijmë imunizimin drejt vjeshtës, atëherë duhet ngulur këmbë sa më shumë për vaksinimin ose ripërsëritjen e masave për parandalimin e Covid-19”, tha Brataj. / Opinion.al