Çifti shqiptar 94 dhe 90 vjeç fitojnë betejën me Covid-19, tregojnë sekretin e shërimit

Dy stërgjyshër nga Mirdita kanë arritur që të fitojnë betejën me koronavirusin. Gruaja është 94 vjeç, ndërsa burri 90 vjeç, të dy ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore. Ata jetojnë në fshatin Prosek të Mirditës, në një kullë ku kanë rritur 8 fëmijë. Të moshuarit janë kuruar në shtëpi nga Covid-19 dhe pas një muaji të sëmurë, tashmë iu janë kthyer punëve të përditshme.

Kola dhe Mrika kanë treguar se koronavirusin e kanë kaluar duke ngrënë ushqime të shëndetshme.

“Mua familja më ka vendosur dietë. Ditën e parë që më ka kap sëmundja dhe 60 ditë rrjesht më ka vendos dietë. Tre herë në ditë unë kam ngrënë 3 lugë mjaltë, 3 limona dhe 3 portokallë. Duhet ajër. Duhet të ecësh. Kam bërë prova dhe shkoj 1 km e gjys duke ecur”,- ka thënë Kola në një emision televiziv.

Nga ana tjetër, 94-vjeçarja Mrika tregon se pavarësisht sëmundjes kafen dhe rakinë nuk i ka ndarë asnjë ditë.

“Për zotin po ta them si as re, as bijë, as djalë, izmetin që ma ka bërë ky asnjë njeri tjetër”,- tha Mrika.

Fëmijët u kanë qëndruar pranë deri sa ata kaluan sëmundjen e rëndë dhe fatmirësisht tani ndihen mirë dhe pavarësisht moshës vazhdojnë të bëjnë punë të përditshme. Së shpejti pritet që të festojnë sëbashku 100 vjetorin e lindjes dhe 80 vjetorin e martesës së tyre.