Turistët e huaj koncert me valle popullore në qendër të Belshit

Qyteti  i Belshit këtë javë krahas qindra turistëve vendas e të huaj  kishte  mysafirë edhe dhjetra artistë të shquar valltarë  të ardhur si turistë nga Amerika, Anglia, Gjermania, Zvicra, Greqia dhe vende të tjera të Europës të cilët prej ditësh po vizitojnë Shqipërinë për të njohur e promovuar Turizmin Folklorik të vendit tonë! Ata spontanisht kanë organizuar e zhvilluar në qendër të qytetit të Belshit një koncert që ka zgjatur rreth 90 minuta me valle popullore shqiptare, duke tërhequr vëmendjen e vendasve të cilët e cilësuan këtë aktivitet të rrallë një nga gjërat më të bukura që ka ndodhur në këtë bashki të kthyer tashmë në një destinacion të preferuar për turistët e huaj.

Sipas Kujtim Ismailit, emigrant shqiptar në Kanada dhe udhërrëfyes i guidës së tyre, ky grup i veçantë turistësh janë dashuruar me Vallet popullore shqiptare të cilat janë aq të lashta, sa është i lashtë edhe vet populli shqiptar. Vallet shqiptare që paraqesin ngjarje specifike qoftë nga historia, luftërat e ndryshme deri tek motivet e dashurisë, fejesave dhe martesave popullore tashmë këta turistë i kërcejnë me pasion dhe po aq bukur sa vetë shqiptarët në çdo qendêr qyteti që ata vizitojnë!

Kështu ka ndodhur edhe gjatë vizitës së tyre në Belsh, një nga destinacionet turistike më të preferuara të viteve të fundit. Për rreth 90 minuta turistët e huaj kanë kërcyer në pedonalen e qytetit vallet shqiptare të shoqëruar nga një grup të rinjsh nga Gjimnazi i këtij qyteti. Koreografi Krenar Korça shprehet i mahnitur nga performanca e kërcimit të valleve popullore shqiptare. Steve Kotansky, nga New Yorku shprehet i lumtur që së bashku me artistë valltarë nga vende të ndryshme të botës po shijon Turizmin Folklorik në Shqipëri. Ai është dashuruar me folkun e vendit tonë që në 1960 dhe prej atëherë ka dëgjuar e mësuar shumë dhe gjithçka di po jua transmeton brezave të rinj. Ne artistët amerikanë kërcejmë valle si Vallja e Dados, Fryn Veriu i Belshit, Vallja e Bradasheshit, Vallja e Njalave, Vallja e Osman Takës, Vallja e Zonjave, Vallja Malenakes, etj.

Edhe Sussie Kotansky nga Amerika e cila në rini ka studiuar për Koreografi në Hungari po aq sa bashkëshorti i saj e ka dashurinë e dytë Vallet Popullore të Shqipërisë. Njohja e kulturës shqiptare mbetet qëllimi i punës së saj profesionale. Mjaft të huaj i kanë shumë përzemër traditat shqiptare. Ne kemi mësuar mjaft valle popullore të Shqipërisë të cilat tashmë i kanë mësuar dhe i kërcejnë me pasion edhe në festat familjare të tyre. Edhe pse jemi të moshuar sa të mundemi do vijmë shpesh në Shqipëri. Tirana këto dhjetë vitet e fundit është bërë shumë e bukur. Po ashtu edhe Belshi dhe qytetet e tjera të Shqipërisë duken mjaft të bukura. Këto bukuri, historia, traditat dhe çdo gjë tjetër e mrekulkueshme e këtij vendi po i nxit turistët e huaj ta vizitojnë këtë vend.