Ky shtet kërkon punëtorë, ja sektorët ku ka vende të lira pune

Autoritetet daneze kanë deklaruar se numri i vendeve të lira të punës në vend vazhdon të rritet për shkak të mungesës së punëtorëve.

Faqja zyrtare e statistikave të Danimarkës ka zbuluar se numri i vendeve të lira në sektorin privat është rritur me 2,800 duke arritur në 71,400 vende të lira në tremujorin e dytë të vitit 2022.

Të dhënat tregojnë se Kopenhgeni kishte përqindjen më të lartë të vendeve të lira të punës në tremujorin e dytë të 2022, shkruan Schengen Visa Info.

Nga të gjithë sektorët, është konstatuar se ndërtimi ka qenë e vetmja industri që ka shënuar ulje të numrit të vendeve të lira.

Krahasuar me tremujorin e dytë 2021, numri i vendeve të lira në ndërtim ra me 0.2 për qind në tremujorin e dytë të 2022. Nga ana tjetër, financimi, sigurimet dhe tregtimi i pronave patën rritjen më të madhe.

Danimarka aktualisht po kërkon punëtorë të aftë në fusha të ndryshme profesionale si shkenca dhe inxhinieria, biznesi, administrata, si dhe fushat ligjore, sociale dhe kulturore.

Gjithashtu, vendi po kërkon gjithashtu shtetas të vendeve të tjera me arsim të lartë për të punuar në kujdesin shëndetësor, institucionet arsimore dhe IT.