“Ke nevojë për ndihmë”, Shënimi që shpëtoi 11 vjeçarin nga njerku dhunues teksa drekonin në restorant

Ka ndodhur shpesh në vendet e zhvilluara si SHBA që në një ambient publik, qytetarët të zbulojnë se dikush, njëri prej tyre në fakt është një person që po përjeton dhunë në familje.

Një histori e tillë e pazakontë është treguar së fundmi nga CNN ku një punonjëse e një restoranti ka zbuluar se si një fëmijë dhunohej nga njerku i tij.

Djali 11-vjeçar dhe familja e tij ishin në restorantin “Ms. Potato” në Orlando më 1 janar 2021, kur Flaviane Carvalho vuri re se ai ishte ulur i veçuar nga prindërit dhe motra e tij, nuk po hante ushqimin dhe kishte të nxira dhe gërvishtje ne trup dhe fytyrë.

Carvalho qëndroi pas prindërve të djalit dhe shkruajti një letër duke e pyetur djalin nëse ishte mirë. Kur fëmija tundi kokën duke thënë jo, ajo shkroi një shënim të dytë ku pyeti: “A ke nevojë për ndihmë”.

Pasi djali tundi kokën duke thënë po, Carvalho thirri shefin e saj dhe më pas njoftuan policinë.

Pasi policia mbërriti dhe mori në pyetje fëmijën, njerku i tij Timothy Lee Wilson, 36 vjeç u arrestua në restorant dhe nëna e djalit, Kristen Swann, u dërgua në paraburgim disa ditë më vonë.

Hetimi zbuloi se djali mbahej larg familjes së tij nga njerku në një dhomë hoteli, i mohoheshin e ngrëna dhe e pira dhe se i nënshtrohej ushtrimeve të stilit ushtarak dhe abuzimeve të tjera.

Autori rrezikon burg dhe vendimi ndaj tij do të jepet më 19 gusht 2022.

Djali u dërgua në një spital ku u zbulua se ishte 20 kilogramë nënpeshë për moshën e tij, gjithashtu kishte të nxira në pjesë të ndryshme në të gjithë trupin e tij.

Prokurorët thanë se djali ishte varur me kokë poshtë në një derë në një rast tjetër ishte lidhur me pranga në një karrocë kukullash.

“Ajo që ky fëmijë kishte kaluar, ishte torturë. Unë jam nënë dhe të shoh se çfarë ka kaluar ai 11-vjeçar… Të trondit shpirtin”,  tha një nga punonjëset e policisë.