Ҫmime rekord për naftën, grekët ankohen për taksat e larta mbi karburantet

Grekët po shohin me dëshpërim rritjen nga dita në ditë të çmimeve të karburanteve, të cilat po vështirësojnë në maksimum buxhetet familjare.Sipas të dhënave të fundit nga Observatori i Çmimeve të Karburanteve të Lëngshme, çmimi mesatar i benzinës pa plumb ka shkuar në 2,168 euro për litër, kur vitin e kaluar ishte 1,607 euro për litër dhe dy vjet më parë 1,316 euro.

Rekorde të reja kanë regjistruar çmimet e karburanteve në zonat periferike të vendit dhe në ishuj, sidomos në Cyclades,  ku çmimi mesatar i benzinës  arriti në 2349 euro, ndërsa vendin e parë e mban ishulli Amorgos ,banorët e të cilit blenë një litër për 2.6 euro. Ndërkohë edhe çmimi mesatar i naftë së automjeteve ,ndodhet në 1,91 euro litri.

Masat qeveritare të cilat parashikonin 40 -50 euro bonuse për një familje me të ardhura deri në 30000 euro, nga prilli deri në korrik, duket se nuk dhanë asnjë lehtësim për qytetarët dhe tashmë ata janë edhe më pesimistë  pasi e gjithë hapësira buxhetore qeveritare duket se është ezauruar.

Ekspertët e tregut që cilësojnë Greqinë si një nga vendet me karburantet më të shtrenjta në BE , vlerësojnë se përveç çmimeve të larta të naftës në tregun ndërkombëtar, pavarësisht uljes së djeshme, rol të madh luan edhe dobësia e monedhës Europiane në lidhje me dollarin amerikan,por sidomos taksat e larta të karburanteve në vend.

Përveç kësaj, Greqia vazhdon të jetë një prej katër vendeve Europiane që blejnë me çmimin më të shtrenjtë energjinë elektrike.

Përkeqësimi i situatës me çmimet e larta në Greqi pasqyrohet edhe në shifrat që publikoi Instituti Kombëtar i Statistikave, sipas të cilit inflacioni në muajin prill në vend, ka shënuar rekord të ri duke shkuar në 10.2% , më i larti prej vitit 1994. Në krahasim me një vit më parë ka një rritje çmimesh prej 122% tek gazi natyror, 88% në energjinë elektrike ,55% në naftën për ngrohje dhe  29% tek karburantet.

Top Channel