Fenomeni i fundosjes dhe zhvendosjes së tokës në segmentin rrugor Librazhd – Prrenjas, në zonën e njohur si Arrat e Dragostunjës, ka vijuar edhe gjatë 24 orëve të fundit, duke konfirmuar se situata mbetet ende aktive.
Sipas të dhënave më të fundit nga monitorimi në terren, katastrofa natyrore nuk është ndalur, por po zhvillohet me ritme më të ngadalta krahasuar me ditët e para. Megjithatë, lëvizja e tokës vazhdon të prodhojë pasoja të dukshme në trupin e rrugës, duke e mbajtur segmentin jashtë funksionit dhe nën vëzhgim të vazhdueshëm teknik.
Në orën 07:00 të mëngjesit të sotëm, matjet paraprake treguan se niveli i fundosjes në këtë segment ka arritur nga 5 deri në 9 centimetra në gjatësi të konsiderueshme të tij. Këto të dhëna dëshmojnë se procesi gjeodinamik është ende në zhvillim, çka rrit pasigurinë për stabilitetin afatshkurtër të zonës.
Ekspertët mbeten në terren për të ndjekur nga afër ecurinë e fenomenit, ndërsa çdo ndërhyrje për rikthimin e qarkullimit varet nga stabilizimi i plotë i masivit të tokës. Deri atëherë, segmenti konsiderohet i rrezikshëm për kalim dhe situata kërkon vigjilencë maksimale.

Bllokimi i segmentit të rrugës kombëtare që lidh Librazhdin me Prrenjasin ,një nyje strategjike që bashkon kryeqytetin me juglindjen e vendit po prodhon çdo ditë pasoja të reja dhe gjithnjë e më të rënda për qytetarët, institucionet dhe ekonominë lokale.
Izolim pothuajse i plotë i qarkullimit
Qarkullimi i të gjitja llojeve automjeteve është thuajse i paralizuar. Vetëm një numër i kufizuar drejtuesish, për arsye mjaft të forta, po zgjedhin të lëvizin përmes një alternative të detyruar ,aksit rural që nis në dalje të qytetit të Librazhdit dhe përshkon itinerarin Spathar –Rruga Antike Egnatia – Dardhë – Hotolisht, për të vijuar drejt juglindjes dhe anasjelltas.
Por kjo zgjidhje mbetet e brishtë. Rruga rurale nuk është projektuar për të përballuar fluks të lartë mjetesh, aq më pak për të zëvendësuar një aks kombëtar me rëndësi strategjike.
Vështirësi serioze për mësuesit dhe bluzat e bardha
Situata është bërë veçanërisht komplekse për mësuesit, infermierët dhe mjekët që udhëtojnë çdo ditë nga qyteti i Librazhdit drejt fshatrave të Njësisë Administrative Hotolisht, por edhe drejt bashkisë së Prrenjasit dhe anasjelltas
Udhëtimet janë zgjatur ndjeshëm në kohë, janë bërë më të lodhshme dhe më të rrezikshme. Kjo po ndikon drejtpërdrejt në funksionimin normal të shkollave dhe qendrave shëndetësore, duke krijuar një presion të shtuar mbi stafet dhe duke cenuar cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve.
Emergjencat në rrezik
Edhe më shqetësuese është situata në rastet e emergjencave shëndetësore apo ndërhyrjeve të policisë dhe shërbimit zjarrfikës. Alternativa e vetme mbetet rruga rurale, e cila për shkak të fluksit të shtuar është bërë jashtëzakonisht e vështirë për t’u përshkuar.
Mungesa e standardeve të duhura ,gjerësi e kufizuar, mungesë sinjalistike, segmente të dëmtuara e bën këtë aks të papërshtatshëm për kalimin me shpejtësi dhe siguri të mjeteve të urgjencës. Në situata ku çdo minutë është jetike, kjo gjendje përbën një rrezik real për jetën dhe pronën.
Nevojë emergjente për ndërhyrje
Në këto kushte, ndërhyrja me mjete të rënda për zgjerimin, pastrimin dhe nivelimin e trasës së segmentit rural është emergjente. Pa një ndërhyrje të menjëhershme për ta bërë të kalueshme dhe më të sigurt këtë rrugë alternative, rreziku i përkeqësimit të situatës mbetet i lartë.Bllokimi i aksit kombëtar Librazhd–Prrenjas nuk është më vetëm një problem qarkullimi. Ai është kthyer në një krizë me ndikim social, ekonomik dhe human, që kërkon zgjidhje të shpejta, të koordinuara dhe afatgjata për të rikthyer normalitetin në një nga arteriet më të rëndësishme lidhëse të vendit.
Kërkesë zyrtare drejtuar ARRSH për ndërhyrje emergjente
Në këtë kuadër, një përfaqësi e banorëve të fshatit Spathar, Bashkia Librazhd, i është drejtuar me kërkesë zyrtare Drejtorit të Përgjithshëm të Autoriteti Rrugor Shqiptar, z. Ami Kozeli, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme në aksin rural Spathar–Rruga Antike Egnatia–Hotolisht.
Në thelb të kësaj kërkese theksohet se:
• Rruga ka nevojë urgjente për pastrim nga gurët dhe inertet përgjatë trupit të saj;
• Kërkohet sistemim dhe nivelim i sipërfaqes për të garantuar kalueshmëri minimale;
• Duhet zgjerim në pikat më problematike për të mundësuar kalimin normal të dy mjeteve;
• Është e domosdoshme vendosja e sinjalistikës dhe elementeve bazë të sigurisë rrugore.
Banorët theksojnë se ky segment është kthyer përkohësisht në një arterie jetike për lidhjen e Tiranës me juglindjen dhe çdo vonesë në ndërhyrje rrit rrezikun e aksidenteve, bllokimeve të reja dhe përkeqësimit të mëtejshëm të infrastrukturës.
Ndërsa fenomeni i fundosjes në Arrat e Dragostunjës vijon të mbahet nën monitorim, ndërhyrja emergjente në aksin alternativ mbetet jetike për të garantuar lëvizjen, sigurinë dhe funksionimin normal të shërbimeve në zonë.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.