Ah sa e bukur/ Arbër Hajdari për herë të parë publikisht rrëfen historinë e dashurisë

Në “Rudina” pasditen e sotme ishte i ftuar Arbër Hajdari, nismëtari i njohur i fondacionit “Fundjava Ndryshe”. Përtej projekteve të tij në ndihmë të njerëzve në nevojë, Arbri prej disa kohësh ka marrë vëmendje mediatike për jetën e tij private.

Pak kohë më parë, ai është fejuar me Vlera Devollin, një vajzë që vjen nga fusha e biznesit dhe që e ka bërë Arbrin shumë të lumtur. Historia e njohjes së tyre është sa interesante, aq edhe e pabesueshme. Arbri dhe Vlera u njohën në një kohë kur ai jo vetëm që nuk ishte aspak në kërkim të dashurisë, por as nuk priste që ta gjente atë në Kosovë.

“Vlera është një karakter i veçantë, sepse është një personazh që në fillim kur e kam takuar, kam qenë për një punë në Kosovë, për të hapur “Fundjavën” në Kosovë. Vlera as nuk është prezantuar se kush ishte. Ka qenë familja e saj që donte të na ndihmonte për një zyrë për fondacionin atje. Teksa po na tregonte vendin atje, thotë: “A po ju duhet diçka tjetër?”, se është edhe ajo gjuha që flasin shqiptarët e Kosovës që unë tashmë jam mësuar, por më mori pak kohë. Pashë tek ajo, më pëlqeu fortësia, karakteri i fortë që transmetonte dhe jam kthyer në Tiranë me shumë mendime. Nuk isha nisur fare, as nuk isha në kërkim të një personi, sepse isha totalisht i angazhuar në ato punët e mia dhe unë që mendoja “po të gjej një njeri tani, do më marrë më tepër kohë dhe nuk do të merrem dot me punën”, por Vlera është një nga gjërat më të bukura që ka ardhur në jetën time dhe ka ardhur në kohën e duhur, është nga ata njerëz që më jep energji, më mbështet në çdo projekt që kam dhe anasjelltas, edhe unë jam një përkrahës i saj. Mendoj që jemi një çift i mirë”.

Më tej, Arbri kujtoi kohën kur u njoh me Vlerën dhe çfarë e tërhoqi më shumë tek ajo.

“Unë isha së bashku me një shokun tim atje dhe ajo ishte bashkë me disa nga njerëzit që punonin dhe na kërkuan që të rrinim për drekë. Ne jemi pothuajse i njëjti brez me Vlerën dhe ajo ishte me njerëz të së njëjtit brez. Ata tani vṙisnin trurin “Kush është ky që s’e njohim ne, pse s’e njohim ne këtë?” Ishin njerëz që e kanë mbaruar shkollën jashtë, kurse unë këtu në Shqipëri. Gjatë kohës që po shkonim për drekë, këta kishin kërkuar. Është një moment interesant, sepse unë isha shumë modest, isha i lodhur, kisha dhënë një provim në shkollë po atë ditë. Këta nisën të tregonin se ku ishin arsimuar dhe unë në fillim nuk e kuptova që “ore prit, se këtu ka edhe një influencë brezash, çfarë po ndodh këtu?”.

Pastaj unë fillova të flisja për punën time dhe Vlerën e tërhoqi puna, arritjet që ka “Fundjava” dhe më kërkoi një material të saj, një përmbledhje. I mora adresën e e-mailit dhe i thashë do të ta dërgoj kur të kthehem. Më pas i kam dërguar materialin, ka filluar duke e parë, kemi filluar duke folur, por për ne nuk ka qenë e lehtë dhe vazhdon të mos jetë e lehtë, sepse Prishtina dhe Tirana janë afër, por janë edhe larg. Ne jemi munduar të shfrytëzojmë fundjavat, por Vlera ka ardhur më së shumti në Tiranë dhe është vetëm, ajo rrugë nuk është e lehtë të bëhet vetëm në çdo fundjavë. Prandaj, gjej rastin ta falënderoj dhe gjithmonë i them që “Mos e humb besimin, kjo gjëja e ka një fund, do të kalojë, do të bëhet më mirë” dhe i kam thënë: “Ti dhe unë duhet të jemi krenarë që nesër, pasnesër do t’u tregojmë fëmijëve tanë këtë sakrificë që po bëjmë sot për njëri-tjetrin.”