Manastirliu zbulon skenarin e radhës: Ç’do të ndodhë nëse spitalet mbushen?

Ministrja e Shëndetësisë gjatë komunikimit me gazetarët, foli dhe për spitalet rajonale që do të jenë pjesë e përballimit të pandemisë, dhe shtimit të mundshëm të rasteve. Manastirliu tha se në rast se do të kemi ezaurim në 4 spitalet Covid që janë tashmë në funksion në Tiranë, të parat do të hapen 5 nga 11 spitalet rajonale, por pa e specifikuar se cilat ishin ato.

“Spitalet rajonale janë pajisur me linjat e oksigjenit, kanë qenë që në krye të herës në gadishmëri, pasi kanë pritur rastet e dyshuara. Të mos harrojmë që spitalet rajonale kanë qenë pjesë e përballimit të situatës pandemike që në krye të herës, pavarësisht se gjatë muajve të verës nuk u pa e nevojshme që ato të trajtonin raste .

Janë 1600 shtretër në dispozicion, të pajisur me linja oksigjeni dhe të gjithë pajisjet monitoruese përkatëse, dhe kemi një plan dhe si do përfshihen spitalet, në kuadër të rritjes së mundshme që do të kemi të rasteve. Në momentin që do kemi mbingarkesë në 4 spitalet , do kemi hapjen e 5 spitaleve rajonale të para, dhe më pas pjesët e tjera”, u shpreh ministrja.

Manastirliu foli dhe për punësimin e mjekëve dhe infermierëve që janë punësuar që nga Marsi dhe deri tani në të gjitha strukturat spitalore. “Nga periudha e Marsit derimë tani, janë më shumë se 280 mjekë dhe infermierë që janë punësuar për përballimin e rasteve. Në tërësi, në të gjitha strukturat janë punësuar 850 infermierë dhe staf mbështetës, dhe 104 mjekë familje dhe specialistë, gjatë gjithë kësaj periudhe”, deklaroi më tej ministrja.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka lajmëruar pak më parë se Shqipëria ka siguruar 100 mijë teste të shpejta. Këto teste të quajtura dhe teste antigen e nxjerrin rezultatin për 30 minuta.

“100 mijë teste të shpejta të njohura nga OBSH që janë të disponueshme në vendin tonë që do të vendosen në funksion në strukturat spitalore. Do të nisë nga dita e hënë në Tiranë. Do të jetë i disponueshëm në të gjithë njësitë vendore të kujdesit shëndetësor. Pikat e testimit do të bëhen të njohura në ditët në vijim dhe do të mbulojnë një numër të caktuar banorësh”, u shpreh ministrja.

Më tej, ajo shtoi se prej datës 20 dhjetor testet e shpejta do të vihen në dispozicion të spitaleve rajonale.