6 vjet të largimit nga jeta të Dr. Trifon Marku, mjekut aq të dashur dhe të njohur në qytetin e Elbasanit

Trifon MARKU

Mjeku i përkushtuar

Sot mbushen 6 vjet të largimit nga jeta të Dr Trifon Marku, mjekut aq të dashur dhe të njohur në qytetin e Elbasanit.

Dr Trifon Marku u lind në 17 Janar 1938 në Divjakë të Lushnjes. Mësimet e para i kryen në vendlindje. Që në këto vite ju shfaq dëshira për të studiuar dhe pasioni për librat. Shkon dhe mbaron me sukses studimet në teknikumin Mjekësor. I sapo diplomuar si ndihmësmjek, punon për disa vite në zonën e Gradishtës dhe Kryekuqit të rrethit të Lushnjes. Etja për dije bën që Trifoni në vitin 1963 të fillojë studimet e larta, pra në Fakultetin e Mjeksisë Tiranë dhe në 1968 diplomohet dhe merr titullin Mjek i Përgjithshëm. Menjëherë pas diplomimit emërohet mjek në hekurudhën që po ndërtohej Elbasan- Përrenjas. I papërtuar, energjik dhe me një pasion të jashtezakonshëm për profesionin, ishte i kudo gjindshëm në sektorët e kësaj hekurudhe. Kështu bie në sy të  drejtuesve të kohës në Elbasan, që i ofrojnë të vendosej në qytet së bashku me bashkeshorten e tij, mësuesen aq të dashur Parashqevi Marku, që sapo ishin martuar. Që prej vitit 1974 e deri sa doli në pension në Shkurt të vitit 1998 ka punuar me përkushtim në repartin e urgjencës si mjek patholog. Ishin vite të një pune intensive dhe të lodhshme, kishte raste që bënte deri në 150 vizita në ditë. Biçikleta dhe çanta e urgjencës do të ishtin mjetet pothuajse të përditshëme dhe domosdoshme, që ai të gjendej sa më shpejt pranë të sëmureve që kishin nevojë. Ai ndjente kënaqësi kur përshëndetej në rrugë nga qytetarë të ndryshëm. Qindra familje elbasanase e prisnin krahëhapur, e konsideronin si djalin e tyre. Kujdesi për çdo pacient, ngrohtësia e përgjegjshmëria profesionale, do të ishin virtyte që e karakterizonin gjithmonë në punë Dr.Trifonin. Ja si shprehet shkrimtari elbasanas, Fatmir Terziu në tregimin “Lutja e Bardhë”, kur flet për gjyshen e tij:”Për arsye të panjohura edhe nga mjeku më i mirë i asaj kohe në Elbasan, Trifon Marku, trupi i saj filloi të ….”. Nuk kishte shtëpi në Elbasan që nuk e njihte doktorrin, sepse si nji mjek i mirë që ishte me aftësinë e tij çdo pacienti i ngjallte shpresa. Kështu për Dite Vere i linin mënjanë “hisen” e ballakumeve. Ai me trajtimin dhe aftësinë e tij e fitonte pacientin, e bënte atë të vlefshëm. Dr.Trifoni dallohej qysh në pritjen e pacientit, komunikimit me të, kontrollit, disponimit për tja bërë sa më të lehtë dhimbjen. Shumë mjekë e infermiere të rinj ju bashkuan në vite repartit të urgjencës. Doktorr Trifoni asnjiherë nuk ngurroi që mësimet dhe eksperiencën e tij tua transmetoj kolegëve më të rinj. Ai diti të krijoj marëdhënie interpersonale me stafin. Atë e karakterizonte thënia:” Sa më i mirë të jesh, aq më i mirë duhet të bëhesh”. Humanizmi, profesionalizmi, komunikimi me të sëmurët, si dhe aftësia e tij lanë gjurmë të pashlyeshme në qytetin e Elbasanit. Prandaj respekti dhe mirënjohja e thellë për këtë mjek në veçanti, por edhe për bluzat e bardha të qytetit në përgjithësi, është shenjë e nji emancipimi qytetar. Falenderimi dhe mirënjohja për këtë mjek, është edhe nji thirrje për vlerësim të merituar, që fatkeqsisht tek ne mungon. Le të jetë ky shkrim nji homazh i thjeshtë, duke kujtuar e mos harruar punën dhe veprën e këtij mjeku të përkushtuar, këtij prindi e bashkeshorti ideal!

Foto e DR Trifon Markut

Foto dalë me bashkëshorten dhe familjen. Foto me stafin mjeksor të kohës dhe me biçikletën e tij.