Thursday , July 7 2022

 Nis ulja e çmimit të vajit/ Importuesit: Ndikim, furnizimet nga Ukraina

Advertisement

Vaji i lulediellit, i vetmi produkt i shportës çmimin e të cilit nuk e përcakton më Bordi i Transparencës, po shitet më lirë në dyqane dhe markete.

Ditët e fundit, çmimi ka pësuar një rënie të lehtë nga 381 lekë/litër në 375 lekë/litër, ulje që pritet të vijojë edhe gjatë javës.

Kjo, sipas importuesve, po ndodh sepse në muajin e fundit, ndryshe nga më parë, është marrë furnizim edhe nga Ukraina, me çmim 315 lekë/litër që është më lirë sesa në fillim të luftës.

AREDI SADO

IMPORTUES

“Ka dalë një sasi e caktuar nga Ukraina, që është e destinuar kryesisht rreth vendeve kufitare, si Rumania, Polonia dhe Hungaria dhe nga këto vende më pas produkti është tërhequr si nga Shqipëria, ashtu edhe nga vendet e tjera të rajonit. Rënia e çmimit sot në treg nuk është reflektuar plotësisht, besoj që maksimumi javën tjetër, reflektohet plotësisht.”

Momentalisht, tregu vendas ka stok që mbulon nevojat e konsumit, por parashikime afatgjata për furnizimet e mëtejshme nuk mund të bëhen, për aq kohë sa situata në tregjet e huaja është e pasigurt.

AREDI SADO

IMPORTUES

“Për momentin kemi stok, por nuk themi dot çfarë do të ndodhë në dy muajt e tjerë. Kemi hyrje sporadike nga një kompani e caktuar në Ukrainë, por sot e ka, nesër nuk e ka. Ka qenë një rast kur vetë ne kemi tërhequr vajin dhe pas 20 min, është goditur me raketa kjo pikë nga rusët dhe nuk ekziston më. Jemi në një situatë që nuk mund të përcaktojmë dot se çfarë do të ndodhë nesër.”

Tregtarët thonë se probleme me furnizimin në treg nuk do të ketë edhe sepse në ditët e para të luftës, kur njerëzit u përfshinë nga paniku, krijuan depozitat e tyre familjare me produktet e shportës, çka ka ulur në këtë periudhë konsumin e vajit.

Advertisement