Thursday , July 7 2022

Prej kohësh nuk shihen së bashku, Olsi Bylyku i jep ‘goditjen përfundimtare’ miqësisë me Bes Kallakun

Advertisement

Prej kohësh është komentuar gjatë në media marrëdhënia mes Bes Kallakut dhe Olsi Bylykut, duke u aluduar se ata nuk janë më miq.

Zërat u forcuan akoma më shumë pas ditëlindjes së Olsit pak javë më parë. Midis urimeve të shumta nga personazhe të ndryshëm, ajo çka u vu re ishte mungesa e një urimi publik nga Bes Kallaku dhe Xhensila Myrtezaj. Ata po ashtu nuk ishin në festën e tij ku morën pjesë personazhe të ndryshme të showbizit. Olsi dhe Besi njihen për miqësinë e tyre që u krijua që në ‘Portokalli’ e cila u forcua gjatë viteve dhe dyshen e humorit i shikonim shumë shpesh së bashku gjatë postimeve në rrjetet sociale apo me pushime së bashku me partneret e tyre.

Por Olsi thotë se mes tyre nuk ka patur asnjë debat ndonëse pranon se gjërat janë ftohur. “Të them të vërtetën nuk është se kemi diçka. Me të gjithë njerëzit që nuk kanë qenë në ditëlindjen time, kam përshtypjen se ka qenë diçka momentale kur njëri për shembull nuk ka pasur kohë, të tjerë nuk e kanë parë të arsyeshëm. Por jo të kemi patur një zënkë. Thjesht jemi ftohur dhe jemi shkëputur. Edhe kur takohemi bisedojmë për gjëra shumë të përgjithshme që mund t’i diskutoj me çdo person që takoj. Mendoj që rruga që vazhduam secili bëri që të ftohemi.”-tha ai i ftuar në ‘Goca dhe Gra’.

Megjithatë, më pas u duk se ai e thumboi Besin duke u shprehur se: “Kam vënë re te njerëzit që u ngel hatri kur nuk i ftojnë në ditëlindje. Unë kur nuk më fton dikush them me vete “A e kam merituar unë ftesën nga ai person?” Shumë njerëz shpesh ftohjen ta delegojnë dhe thonë: “E ke ti fajin pse jemi ftohur ne”. Ftohja nuk është diçka që vjen vetëm nga njëra palë, por nga të dyja. Nëse ka duhet të jesh koshient se ai nuk më ka ftuar sepse kemi patur këtë, këtë…”

Besi ka qenë ai që ndihmoi Olsin të bëhej pjesë e “Portokalli”. Më pas të dy bashkë me Erion Isain sollën “BE Coffe” në Tv Klan si pjesë e “E diela shqiptare”, por nuk rezultoi shumë e suksesshme. Kështu, Olsi iu bashkua “Klanifornia” teksa Besi dhe Erioni vijuan angazhimet e tjera jashtë ekranit.

Vitin e kaluar Besi u bë pjesë e “Kosherja Show”, ku ftoi edhe Olsin të bëhej pjesë. Mirëpo, ftesa e tij u refuzua nga aktori i cili ka deklaruar se ka bërë shumë lëvizje në pak vite karrierë dhe nuk donte të rrezikonte më. Ndonëse kjo është përfolur si arsye e prishjes së raporteve mes tyre, të dy publikisht e kanë mohuar diçka të tillë duke u shprehur se nuk takohen shpesh për shkak të angazhimeve.

Advertisement