Friday , May 20 2022

Elbasani dëshiron të vazhdojë me formën e mirë, Lleshanaku nuk i zë besë Shënkollit

Advertisement

Elbasani është gati për ndeshjen me Shënkollin, një rival direkt në luftën për mbijetesë në Kategorinë e Parë. Një sfidë tepër e rëndësishme për objektivin sezonal dhe verdhebluve nuk u falet gabimi sot në “Elbasan Arena”. Nga të gjitha ekipet e grupit të “play out”-it, Shënkolli është i vetmi që elbasanasit nuk e kanë mundur në dy fazat e para, teksa kanë një barazim në transfertë dhe një humbje në shtëpi.

Megjithatë, në kampin verdheblu janë të bindur se ka ardhur koha e fitores së parë ndaj këtij kundërshtari, që javët e fundit ka pasur shumë probleme.lleshanaku

Një fitore e mundshme sot do t’i hapte rrugën qëndrimit në kategori, ku Elbasani duhet të lërë të paktën edhe një ekip tjetër pas në renditje, përveç Shënkollit.

LLESHANAKU – Në prononcimin për “Panorama Sport”, trajneri Shkëlqim Lleshanaku thekson se synon vetëm 3 pikët në çdo ndeshje të mbetur, jo vetëm ndaj Shënkollit. Ai kërkon përqendrim nga djemtë që stërvit. “Jam shumë i kënaqur nga paraqitja e skuadrës pas rifillimit të kampionatit, si me lojën, ashtu edhe me pikët. Kërkoj nga djemtë të luajnë si në këto ndeshje dhe kam besim se kështu do të ndodhë. Rrugës kemi bërë gabime, si çdo skuadër, por kjo i përket së kaluarës. Ndaj Shënkollit pres fitoren, e respektoj kundërshtarin dhe e di që nuk është ndeshje e lehtë, por pikët i kemi detyrim.

 Tani mbijetesa është në dorën tonë dhe nuk do ta lëmë të na ikë kjo mundësi”, u shpreh tekniku elbasanas. Në 4 ndeshjet e zhvilluara pas rinisjes së kampionatit, Elbasani ka marrë 9 pikë, duke treguar një nivel tjetër në krahasim me periudhën para ndalesës për shkak të pandemisë. Kjo ecuri i ka dhënë më shumë besim skuadrës në realizimin e objektivit. Vladimir Mema/panorama sport

Advertisement