Sunday , May 22 2022

Lamtumirë Rudi Stringa, Profesori i Sintaksës në “Aleksandër Xhuvani

Advertisement

Lamtumirë Rudi/ Nuk besoj se iku atje Lart! Nuk e besoj se Zoti e thirri kaq shpejt, Rudin. Nuk e besoj.. Dhe nuk mund te jetë ashtu. Rudin më duket se e kam ende pranë në atë takimin tonë në Londër, kur kujtuam me radhë të gjithë shoqet dhe shokët e shkollës.

E kam ende në mendje takimin tim me të në Londër në prani të ish-mësuesit tonë të përbashkët Nos Papajani. Folëm gjatë. Kujtuam vitet e shkollës, halle të tjera dhe mbetëm në udhët e ndara të jetës, larg e larg Atdheut, larg të dashurve të zemrës.

Udhëdhimbje! Jetëdhimbje. Jetëikje… në një udhë të tillë jeta është vetëm një laps në dorën tonë, me të cilin kemi rastin dhe shansin t’a përdorim atë për më shumë mirësi, më pak dhimbje tek Tjetri. Është një laps i mprehur mirë, që na qëndron herë në duar, e herë në sy, nëse nuk e kuptojmë si të tillë. Një laps nuk është tretje, nuk është ikje, nuk është vdeķje. Është një laps, që mbahet mend në të ikur e në të gjallë. Një laps është vetë jeta, ku struket dhe zhbirohet e vërteta. E vërteta e kësaj jete me këtë laps të trillët e të lehtë. Eh, më këtë laps, që ndonjëherë na shpie lart, e ndonjëherë na lë në vend, ndonjëherë na zmbraps e na bën të flasim me veten. E kur flasim me veten, e kuptojmë se ku kemi qenë në kohë të tjera, në kohë kur njeriut i zbardhet dhe i zvenitet vlera.

Rudi është ende në udhën e jetës. Nuk mund të ndodh ndryshe. Ai është në itinerarin e vërtetë të tij, Profesori i Gjuhës Shqipe në Kinë. Profesori që e deshi shumë Gjuhën e tij, për të cilën u tret dhe u përhumb në këtë jetë. Profesori i Sintaksës në “Aleksandër Xhuvani”, Dr. Ruzhdi Stringa, Eksperti i Gjuhës Shqipe në Universitetin e Pekinit, (Expert of Albanian Language at the Beijing Foreign Studies University, As/Profesori i këtij Universiteti (As/Prof. Dr. at Beijing Foreign Studies University), ish redaktori folës i gjuhës shqipe në “Rádio Internacional da China” (Former Redaktor dhe folës i gjuhës shqipe at Rádio Internacional da China) e mbi të gjitha intelektuali që iu përkushtua mjaft vlerave intelektuale e komunikimit të bukur me Gjuhën Shqipe.

E pra si mund të ikë kaq shpejt Njeriu i tillë, intelektuali, vlera e tillë? Nuk ka ikur, ai është dhe do të mbetet mes nesh mes mjaft të tjerëve. I qoftë i lehtë Dhéu i Tokës mëmë, për të cilën ai u tret në këmbë. Lamtumirë Rudi!

Prof. Dr. Fatmir Terziu

Advertisement