Thursday , May 26 2022

Studentët të rrezikuar nga virusi, rektori i universiteti të Elbasanit flet mbi gjendjen e tyre

Advertisement

Një lajm mbi qarkullimin e Covid-19 në universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit alarmoi të gjithë stafin dhe studentët të cilët tashmë janë rikthyer për të zhvilluar provimet. Në lidhje me këtë çështje “Shekulli” foli me rektorin e universiteti, Skënder Topi i cili u shpreh se nuk ka patur një njoftim zyrtar sa i takon mundësisë së një infektimi në këtë universitet.

Topi deklaroi se nuk ka një reagim nga ana e laboratorit të epidemiologjisë që bën testimet për persona të infektuar brenda Universitetit.

“Kam lexuar nëpër media, si informacion se në Universitetin tonë ka staf të infektuar me koronavirus. Personi që flitet se është bashkëshortja e zv. Dekanit të Fakultetit Ekonomik nuk ka qenë e pranishme në punë me arsyetimet e saj për çështje personale, por siç e dini në disa zyra shërbimi dhe funksionesh brenda Universitetit nuk është e nevojshme prezenca fizike pasi punohet online”, tha ai.

Masat

Rektori u shpreh se ashtu si në të gjithë universitetet e tjera prej datës 1 qershor janë rikthyer në auditor dhe në këto tre javë nuk ka patur asnjë problem apo shenja infektimi me virusin. “Masat janë marrë deri në 1 qershor, pasi kemi nisur përgatitjet për rikthimin në auditor ashtu sic na është komunikuar me herët. Edhe për studentët të cilët tashmë vazhdojnë në auditor, pasi një pjesë e tyre janë fizikisht të pranishëm janë marrë të gjitha masat. Matja e temperaturës, hyrja ka qenë me rregull, dalja po ashtu. Nuk janë lejuar grumbullimet mes studenteve, është mbajtur distanca fizika. Ne kemi tre javë që jemi rikthyer dhe deri më tani nuk ka patur asnjë shqetësim apo problem. Nga 1 qershori dhe deri më tani. Provimet do të nisin javën e ardhshme, ndërkohë mësimi ka vazhduar rregullisht edhe online edhe në auditor”, tha ajo.

Provimet

Sa i takon provimeve, Topi deklaroi se duke nisur nga java e ardhshme do të nisin provimet. “Studentët kanë mbyllur mësimin ditën e sotme dhe janë marrë të gjitha masat anti-Covid. Provimet do të jepen të gjitha në auditor me grupe të vogla 4-5 vetë.  Duke nisur nga dita e hënë dhe në vazhdim do të zhvillohen provimet. Për të ruajtur distancën dhe për të respektuar protokollet provimet do të nisin në 09:00 dhe do ta vazhdojnë deri pasdite vonë, në mënyrë që të shmangen sa më shumë kontaktet mes njëri-tjetrit”, bëri me dije ai.

Advertisement