Sunday , May 22 2022

Masat e marra nga qeveria shqiptare, situata e Covid-19 drejt shuarjes në Elbasan

Advertisement

Në  Qarkun e Elbasan situata  aktuale e  pandemisë Covid 19  nuk është  më  aq shqetësuese sa disa ditë më pare,  kur  rastet me të  prekur nga virusi i rrezikshëm ishin prezente  thuajse gjatë  gjithë  javës. Rritja e efektivitetit të masave parandaluese  përmes ndërgjegjësimit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe rritjes së frymës së bashkëpunimit mes të  gjithë  aktorëve  kanë  sjellë  stabilizim  të  situatës.

Sipas të  dhënave zyrtare të  ditës së  sotme, nuk ka raste të reja të   dyshuara të  zbuluara me Covid 19 . Rasti më  i fundit në  këtë  qytet u rregjistrua  mesjavën e kaluar kur rezultoi pozitiv shoferi i një  autobuzi të  një fasonerie. Fatmirësisht, testimet e kryera në  punonjësit e këtij biznesi rezultuan negative dhe që  nga fillimi i pandemisë  në  Elbasan nuk është regjistruar asnjë viktimë  për këtë  shkak.

Gazetari Fatmir Popja raporton për “Balkanweb” se sipas burimeve zyrtare  janë  shëruar 16 persona nga 18 që  janë  prekur nga ky virus. Aktualisht  në  Qarkun e Elbasanit po punohet me përkushtim maksimal nga të  gjithë për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. 284 personave që  ju është  bërë  testi kanë  rezultuar negativ, ndërsa janë vendosur ne vetëkaratinim 133 persona dhe një i shtruar në Spitalin Infektiv.

Pas vendimit të marrë nga komiteti ndërministror për menaxhimin e situatës emergjente, për lehtësimin e masave dhe ndarjen e disa zonave të gjelbra në  Qarkun e Elbasanit  prej kësaj fillim jave në  këtë  listë  janë  përfshirë   zona e  Librazhdit dhe e  Përrenjasit .

Këto zona kanë  përfituar një sërë masash lehtësuese për qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve. Në  këto zona, mosha e tretë nga e hëna është e lirë për të lëvizur në mëngjes çdo ditë deri në orën 08:30 dhe pjesa tjetër e qytetarëve nga ora 09:30 deri në orën 17:30, duke respektuar të gjitha normat e vendosura përsa i përket distancimit social, jo më shumë se dy qytetarë së bashku dhe duke mos frekuentuar parqet, duke mos frekuentuar ambientet apo vendet publike dhe duke marrë të gjitha masat e nevojshme për të minimizuar dhe ruajtur këtë zonë dhe gjithë zonën tjetër të paprekur nga koronavirusi.

Autoritetet vendore dhe ato shëndetësore nga ana e tyre  vazhdojnë  parreshtur t’u kërkojnë  qytetarëve të  këtij qarku që   të jenë pjesë bashkëpunuese përsa i përket respektimit të të gjitha detyrimeve dhe respektimit të normave e sjelljeve për t’u bërë   pengesë për të shpërndarë virusin.

(Balkanweb)

Advertisement